Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedha e cila raportohet më së shumti si e falsifikuar janë ato prej 50 dhe 100 euro.
Një rast i tillë është raportuar edhe dje, nga banka TEB në sheshin e Vushtrrisë.
Sinjali mëson se një zyrtar i kësaj banke ka raportuar se kanë hasur në një kartëmonedhë prej 50 euro, që ishte deponuar para disa ditësh nga një person dhe dyshohet se është e falsifikuar.
Posa është denoncuar rasti, njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast kartëmonedha është konfiskuar. Në koordinim me prokurorin e shtetit hetimi ka filluar për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Kujtojmë se falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kushdo që prodhon para të falsifikuara me qëllim për t’i vënë në qarkullim si të vërteta, dënohet me burgim prej një deri në dhjetë vjet.