Një 20-vjeçari nga fshati Hajvali i Prishtinës është shpallur në kërkim nga Policia pasi dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në shtëpinë e tij, dje në orët e mëngjesit. I dyshuari ka gjuajtur në drejtim të një familjarit, që fatmirësisht nuk e ka qëlluar. Rastin e ka denoncuar në Polici nëna e tij, e cila ka dhënë detaje për ngjarjen.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se posa nëna e të dyshuarit ka dëgjuar të shtënat me armë ka njoftuar Policinë për të intervenuar, pasi nuk ishte e sigurt nëse i biri gjendej ende në shtëpi.
Posa njësite policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes e kanë kuptuar se i riu veçse kishte ikur dhe nisën kërkimet për të. Në shtëpinë e tij u krye edhe kontroll, ku u gjet gëzhoja dhe mbi 10 fishekë të armës.
Ndërkohë, familjari që dyshohet se ka qenë i përfshirë në rast ka dhënë deklaratë në Polici dhe ka njoftuar se gjatë tentativave për ta bindur të dyshuarin të marrë terapi mjekësore, ai ishte mllefosur dhe e ka gjuajtur.
Përveç municionit, Policia ka gjetur edhe një pajisje për bluarjen e narkotikëve, që po ashtu është konfiskuar dhe do të përdoret si dëshmi gjatë hetimit të rastit.
Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit dhe posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit pritet të merren veprimet e tjera.