Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar pasi të hënën kryeministri Albin Kurti deklaroi se rrezikohet të ndodhë një luftë e re në Kosovë.
Ai tha se kësi deklarata po e dëmtojnë imazhin publik në sy të investitorëve të huaj.
Rukiqi tregoi se një kompani amerikane, e cila ka pasur në plan të investojë në Kosovë, ka kontaktuar me të duke shprehur shqetësimin për lajmet që po lexojnë në mediumet botërore.
“Përhapja e opinionit, në mediat globale, që në Kosovë mund të ketë luftë, nuk ja sjell asnjë dobi Kosovës. Kompani të interesuara për investime në Kosovë, në mesin e tyre një kompani amerikane që planifikon të hap degë në Kosovë, në muajt në vijim, më kanë kontaktuar në ditët e fundit, të shqetësuara nga ajo që kanë lexuar”, ka thënë ai, ndërsa u shpreh Kosova edhe pa këto deklarata ka një imazh si vend i konfliktit dhe rrezikut të lartë politik që ndikon të mos ketë interesim për investime.