Babai i 7-vjeçares rrëqeth me fjalët për të bijën: Duhet të kisha vdekur unë e jo Jonada…

Pedagogu Bislim Ahmetaj në një postim në rrjetet sociale ka zbuluar bisedën rrëqethëse me babanë e 7-vjeçarjes, Jonada Avdia, që u përplas për vdekje nga gomonia një ditë më parë në plazhin Potam të Himarës.

Ahmetaj, i cili ka marrë pjesë në ceremoninë mortore, ka treguar një bisedë të shkurtër me babanë e 7-vjeçares, i cili i ka thënë se të bijën e kishte për dore në momentin që ndodhi tragjedia.

Postimi i tij i plotë:

Unë e ngushëllova Bledarin, babin e Jonadës. Familja Avdia i ka hapur dyert dhe pret ngushëllime për humbjen tragjike që pësuan dje nga arroganca dhe papërgjegjshmëria e shtetit që vret fëmijë.

Jonada me sy të kaltër e cila dje po pllaquritej në Jon dorë për dorë me babi Bledarin është mbyllur në arkmort, mbi të derdhen përrenj lotësh që krijojnë detin e dhimbjes nga mami, gjyshja dhe dhjetëra gra e vajza veshur me të zeza që lëvizin si magmë e zezë në oborrin e shtëpisë ku jeton gjyshi i saj.

Pak metra me tej në një kafe presin burrat. Aty s’ka gjamë, as vaj, veç sy të mbytur nga lotët dhe gulshe dhimbje. Shumë pak fjalë: Zoti ju forcoftë, Zoti ju dhashtë forcë dhe durim, shtrëngoni burra, Zoti e pastë marrë afër vetës e të tjera fjalë ngushëlluese të kësaj natyre.

Dhe përgjigjet e rëmta nga familjarët që presin në këmbë: Ju lumshin kambët, faleminderit që keni ardhë, në gëzime jua kthefshim…

Bledari i jati i Jonadës, mundohet të përmbahet, të bëj burrin e fortë të malsisë, por nuk e lejon dhimbja që i pëlcet në shpirt: Ma mori Zoti, ishim dorë për dorë, pse e mori atë e s’më mori mua.

Ta mori krimineli me uniformë, por s’ke ça me ba duhet me ba durim-ja kthej unë. Ehhh- ofshan- Ja la Zotit, vetëm se duhet të kisha vdekur unë dhe jo Jonada- thotë mes lotësh Bledari që erdhi për të parë prindërit, të afërmit dhe për të pushuar në bregun e detit Jon, ku la shpirtin e tij.

E piva shpejt e shpejt atë kafe helm dhe ika i helmuar thellë në shpirt nga kjo tragjedi familjare, por jo vetëm. Ajo është tragjedia e çdo familje, ajo është tragjedia jonë kombëtare që duhet ta ndalim me çdo formë, me çdo mjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *