Një përleshje mes dy personave ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, ku si pasojë njëri nga ta është therur me thikë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se bëhet fjalë për një 20-vjeçar i cili dyshohet se është sulmuar me thikë nga një person tjetër, me të cilin kishte pasur një mosmarrëveshje.
Ai ka marrë lëndime trupore për çka është drejtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë Kosovë për të kërkuar ndihmë mjekësore, teksa për rastin është njoftuar edhe Policia.
Një patrullë e Policisë ka dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme, ndërkohë më vonë është intervistuar të riun për të marrë informacione mbi atë që ka ndodhur. Mirëpo i dyshuari nuk është hasur askund sepse menjëherë pasi kishte kryer veprën, ka ikur që aty.
Njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të gjetur personin e dyshuar, ndërsa me urdhër të prokurorit rasti është iniciuar ‘Lëndim i rëndë trupor’.