Policia e ka shpallur në kërkim një 35-vjeçar nga fshati Pagarushë i Malishevës, pasi i njëjti po dyshohet se e ka kërcënuar me jetë vëllain dhe familjen e tij, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari gjendet në arrati për momentin pasi ka ikur posa është denoncuar nga vëllai i tij.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari e ka kanosur seriozisht të vëllanë përmes telefonit, çka e ka detyruar atë ta njoftojë Policinë. Posa një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ka marrë deklaratën e viktimës dhe të dëshmitarëve.
Por i dyshuari nuk është gjetur, pasi i njëjti kishte ikur në momentin që i ka vërejtur zyrtarët policorë afër shtëpisë së tij.
Për shkak të rastit, Policia ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit, nën dyshimet se posedon gjësende të kundërligjshme, por janë gjetur vetëm disa fishekë.
Me urdhër të Prokurorit është iniciuar rast dhe kërkimet për ta kapur të dyshuarin po vazhdojnë.