Numri i të rinjve në Kosovë që abuzojnë me substanca narkotike, çdo ditë e më shumë është në rritje. Si pasojë, prindërve kosovarë po u dalin telashe me fëmijët e tyre, të cilët shpesh edhe kanosen seriozisht. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën, në rrugën “Beteja e Kabashit” në Prizren.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë njoftuar se këtë herë rasti është raportuar nga një nënë, e cila e ka denoncuar të birin për dhunë në familje, me pretendimet se i ka kërkuar para duke e kërcënuar.
Në dëshminë e saj të dhënë para hetuesve policorë thuhet se i dyshuari A.B., e ka kanosur seriozisht në pikë të natës, duke e paralajmëruar se do ta pësojë nëse nuk ia jep shumën e të hollave prej 300 euro.
Pas raportimit të rastit, është kuptuar se i dyshuari është recidivistë i dhunës në familje dhe abuzues me substanca narkotike, fakt ky që e ka shtyrë Policinë që të aktivizohet menjëherë dhe të nis kërkimet për kapjen e të dyshuarit.
Siç mëson Sinjalin, i njëjti është kërkuar në disa lokacione por deri më tani nuk është gjetur. Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve në drejtim të veprës penale ‘dhunë në familje’ dhe sigurimin e prezencës së të dyshuarit.