Prokuroria e Mitrovicës ende nuk ka aktvendim për fillim të hetimeve për incidentet që kanë ndodhur dje, mbrëmë e sot në veri të Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur prokurori Njazi Rexha, i cili ka thënë se hetimet janë ende duke u zhvilluar nga Policia e Kosovës.
“Është duke u punuar nga ana e Policisë në këtë drejtim, ne ende nuk kemi marrë aktvendim për fillim të hetimeve. Dje ka qenë situata emergjente, nuk ka mundur as Policia të shkojë në vend të ngjarjes me pa se çfarë po zhvillohet, hetimet po vazhdojnë, jemi duke mbledhur informata dhe në bazë të informatave ne fillojmë hetimet”, ka thënë ai, për kallxo.
Gjatë ditës së djeshme, një ditë para se të hynin në fuqi dy vendimet e Qeverisë së Kosovës, grupe të organizuara serbësh bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në 9 lokacione të ndryshme janë vendosur barrikada, të cilat tanimë janë larguar dhe pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë hapur.
Sveçla ka njoftuar se nga zhvillimet e djeshme janë lënduar 11 qytetarë dhe janë dëmtuar disa vetura të qytetarëve e po ashtu edhe të Policisë së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti përmes një deklarate mbrëmë tha se përgjegjësit kryesorë për tensionet në veri janë Aleksandar Vuçiq dhe Petar Petkoviq.
Ndërsa Qeveria e Kosovës pas takimit me ambasadorin amerikan ka deklaruar se jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit deri më 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.