Hapen pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak
Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët e Kosovës.
Sveçla ka dënuar sulmet e djeshmë ndaj zyrtarëve policor të Kosovës, sipas tij që ishin planifikuar për një kohë të gjatë, shkruan Zeri.info.
Ai më tej ritheksoi se barrikadat e vendosuara janë hequr nga vetë serbët si dhe tani qytetarët janë të lirë të lëvizin.
“Grupe të maskuara e me armë të gjata të cilët udhëhiqen nga Beogradi dhe të ardhur nga Serbia, kanë filluar sulmet ndaj qytetarëve të vendit duke i rrahur brutalisht dhe të njëjtit kanë gjuajtur sot edhe ndaj zyrtarëve policorë me qëllim të vrasjes së tyre”, shkroi ai.
Ministri Sveçla më tej tha se sulme të tilla nuk i kontribuojnë stabilitetit në rajon si dhe vëtëm krijojnë panik të panevojshëm.
“Krijimi i panikut, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, lëvizja e personave të armatosur e të maskuar brenda vendit, rrahja brutale e qytetarëve tanë si dhe tentim vrasja e zyrtarëve tanë policorë janë veprime të papranueshme dhe në këtë drejtim, janë duke punuar intensivisht hetimet dhe drejtësia padyshim do të ndodhë. Përdorimi i grupeve të tilla kriminale për destabilizim të vendit nga pala serbe nuk e rrezikon vetëm vendin tonë, dhe kjo bëhet edhe më serioze kur Serbia e cila përmes grupeve të tilla synon të arrijë qëllimet e veta merr mbështetje të plotë dhe tashmë publike nga Moska”, shkroi ndër të tjera ai në Facebook.