Grabitësi i arrestuar mbrëmë, Korab Gashi, si i dyshuar për plaçkitjen në argjendarinë në Suharekë, pas pak pritet të dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, ku pritet të mbahet seanca dëgjimore, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se forca të shumta policore, përfshirë Njësinë Speciale Intervenuese (FIT) ndodhen tashmë te gjykata.
Ndaj tij, mbrëmë është lëshuar urdhër për masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor, është ushtruar kërkesa nga Prokuroria për masën e paraburgimit.
Çka dihet për grabitjen e argjendarisë ‘Diakos 2’ në Suharekë?
Gashi u arrestua të hënën në mbrëmje pas një aksioni të gjerë, ku u angazhuan njësi të shumta policore. Ai u kap mbrëmë në lagjen Dragodan në Prishtinë nga Njësia Speciale Intervenuese (FIT). Korabi është vëllai i Dukagjin Gashit, i cili u vra në nëntor të vitit të kaluar në operacionin për kapjen e tyre, në Dragodan të Prishtinës.
Aksioni i gjerë i Policisë së Kosovës në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar që kishte cak grupin kriminal i cili kreu grabitjen në argjendarinë ‘Diakos 2’ në Suharekë, u përcoll me konfrontim. Operacioni policor përfundoi me një grabitës të vrarë, Dukagjin Gashin, një zyrtar policor të plagosur dhe disa të arrestuar.
Por, Korab Gashi arriti të zhduket dhe të shpëtojë nga prangosja deri kur Policia ra në gjurmët e tij dhe organizoi aksionin e mbrëmshëm për ta kapur.
Gashi, me të kaluar kriminale, u shpall në kërkim nga Policia e Kosovës më 13 dhjetor 2023, ku u bë e ditur se ndaj tij është lëshuar urdhërarresti nga organet e drejtësisë.
Dukagjin dhe Korab Gashi, Bujar Basha, Leotrim Cakolli, Besart Istrefi dhe Trim Baraku ishin cak i Policisë mesditën e 30 nëntorit. Njësi të shumta policore zbarkuan në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Carralevë dhe realizuan kontrolle në shtatë lokacione të ndryshme.
Lokacioni ku u vra i dyshuari Dukagjini ishte lagjja Dragodan në Prishtinë, ku u kapën disa nga të dyshuarit, por që u parapriu një shkëmbim zjarri mes Policisë dhe Gashit.
Gjatë zhvillimit të operacionit, Dukagjin Gashi dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë të dyshuarin.