I kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga shteti i Zvicrës është kapur nga Policia e Kosovës të shtunën, pak para mesnatës. I dyshuari për disa vepra penale është prangosur në pikë kalimin kufitar në Vërmicë.
Sinjali ka mësuar se personi që u arrestua nga Policia në kufi teksa po vinte nga Shqipëria kërkohej në bazë të një urdhërese për tri vepra penale.
Sipas informacioneve të para, bëhet fjalë për një 33-vjeçar (emër i njohur për redaksinë) nga fshati Dubovë e Vogël e Komunës së Istogut.
Burimet e njëjta thonë se pas verifikimit nga ana e Policisë, i riu ka rezultuar në kërkim për “Shpëlarje parash”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrim”.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor janë ndërmarrë edhe veprimet e tjera.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.