Të shtënat me armë në shenjë festë në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Një rast i tillë ka ndodhur edhe të shtunën në qendrën tregtare në Prizren ‘Abi Çarshia’, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur një qytetar ka gjuajtur me armë në afërsi të një lokali, por fatmirësisht nuk e ka pësuar askush. Burimet nga Prokuroria thonë se i dyshuari posa kishte dalë nga lokali, kishte nxjerrë armën dhe ka gjuajtur, për të festuar.
Atë e zuri sherri me Policinë, pasi u denoncua për shkaktim të rrezikut, me ç’rast Policia është vënë menjëherë në lëvizje, duke ftuar dëshmitarë për intervistim.
Ajo që dihet deri më tani është se i dyshuari është identifikuar dhe ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.