Adnan Dibrani, eurodeputeti i parë shqiptar nga Kosova

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se një ulëse në Parlamentin e Evropës e ka fituar edhe një shqiptar nga Kosova, Adnan Dibrani. 

Tahiri bëri të ditur se rezultatet preliminare në Suedi tregojnë se Dibrani ka fituar mandatin e eurodeputetit për pesë vjetët e ardhshëm.  

“Rrezultatet preliminare dhe raportimet e mediave suedeze po tregojnë se, z. Adnan Dibrani, është shqiptari i parë nga Kosova që ka fituar mandatin e eurodeputetit dhe nga sot, në 5 vitet e ardhshme do të jetë eurodeputet në Parlamentin e Evropës”, ka shkruar ai.

Sipas deputetit të AAK-së, Dibrani ka lindur në Mitrovicë dhe si i ri ka emigruar në Suedi.

“Përndryshe, Adnani për tri mandate ishte deputet në Parlamentin e Suedisë dhe po ashtu ishte përfaqësues në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës ku e ndihmoi shumë”, ka shtuar ai. 

Vitin e kaluar Dibrani ishte përfshirë në një rast të rrallë në Mal të Zi. Kishte shkuar si pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të KiE-së për zgjedhjet presidenciale, por përfundoi duke ndihmuar në shpëtimin e një foshnje.

Siç është raportuar atëkohë, Dibrani ndihmoi ta nxjerrin nga lumi Moraça foshnjën e më pas praktikisht “e ringjalli”, duke i nxjerrë ujin nga mushkëritë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *