Kurti në koncertin e Shkurte Fejzës: Në ditët e errëta na frymëzuat e ngushëlluat, na dhatë shpresë e forcë

Kryeministri Albin Kurti në koncertin “50 vjet zëri i kombit” të këngëtares Shkurte Fejza mbrëmë tha se ajo e ka frymëzuar e ngushëlluar popullin në robëri e i ka dhënë shpresë e forcë

Në koncertin për 50 vjetorin e karrierës së Shkurte Fejzës, të organizuar dhe mbajtur në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, Kurti tha:

“Me juve Shkurte, mbarë Kosova e mori harkun e përbashkimit me notat e muzikës. Ky gjysmë shekulli i këngës suaj Shkurte është plot një shekull i gjatë i popullit tonë. Në ditët e errëta të robërisë, neve këtu dhe motrat e vëllezërit tonë të mërguar, na keni frymëzuar e ngushëlluar, na keni dhënë shpresë e forcë, që zemra kurrë mos të harroj dashninë për Kosovën dhe kombin”,

Para shumë të pranishmëve në këtë koncert, kryeministri i tha Shkurte Fejzës se “do ta marrim qarkun edhe sonte si ngahera me këngët tuaja: qarkun e dashurisë së përbashkët për tokën tonë, qarkun e dashurisë sonë të përjetshme për jetën e lirë, të dashurisë së pavdekshme të secilës e të secilit që lindi, deshi, punoi e luftoi, ra e jeton për Kosovën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *