MPJD-ja e quan arbitrar arrestimin e shtetasit kosovar nga Serbia

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e ka dënuar si arbitrar arrestimin e një shtetasi kosovar nga autoritetet serbe të shtunën, duke thënë se i ka kërkuar bashkësisë ndërkombëtare të ndihmojë në lirimin e tij të menjëhershëm.

Në një komunikatë për media, MPJD tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovë në Serbi u njoftua të shtunën për arrestimin Tefik Mustafës nga autoritetet e Serbisë në pikëkalimin kufitar Merdarë, për krime të pretenduara të luftës ndaj popullsisë jo-shqiptare, gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë njoftoi për media të shtunën pasdite për arrestimin e Mustafës.

Ministria kosovare tha se e dënon “ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të qytetarit Tefik Mustafa”.

Ajo i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare gjithashtu të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb “për këto veprime arbitrare dhe destruktive, të cilat bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.

MPJD-ja shtoi se do të kërkojë zyrtarisht nga autoritetet serbe që ta lejojnë përfaqësuesin e zyrës së Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, ta vizitojë Mustafën, “nё mёnyrё që shteti dhe Qeveria e Kosovës tё njoftohen më konkretisht për trajtimin që po i bëhet Mustafës nga organet serbe”.

Për arrestimin e Mustafës, MPJD-ja tha se i ka njoftuar menjëherë vendet e QUINT-it në Kosovë dhe misionet diplomatike të Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe dhe të shteteve tjera në Beograd.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovë në Serbi i ka dërguar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë për konfirmim të arrestimit dhe për ofrimin e detajeve tjera relevante, në të cilën kërkesë është përfshirë edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi”, thuhet në njoftim.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës me dyshimet e pretenduara se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë 1998-99.

Më 17 prill, autoritetet serbe e arrestuan shtetasin kosovar Sadik Duraku, i cili ka nënshtetësi britanike gjithashtu, nën dyshimet “për krime lufte” më 1999 – akuza që u hodhën poshtë nga familjarët e tij.

Duraku u arrestua në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe i caktoi masën e paraburgimit po atë muaj.

Familjarët e tij thonë se akuzat kundër Durakut nuk qëndrojnë, pasi ai, para luftës në vitin 1999, ka jetuar me familjen e tij në Angli.

Në fillim të këtij viti, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për, siç i cilësoi ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës./REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *