Shtatë herë në Bruksel për dinarin, a do të arrihet një marrëveshje? Gërvalla: Serbia bërtet dhe po i vonon gjërat 

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz ka folur rreth çështjes së dinarit dhe takimet me palën serbe, raporton Sinjali.

Javën e kaluar delegacioni i Kosovës dhe Serbisë u takuan për të shtatën herë në Bruksel, por pa arritur një dakordësi për çështjen e dinarit. 

A mund të kemi një marrëveshje pas kaq shumë rundesh, Gërvalla thotë se Serbia po vonohet në këtë proces, dhe se nuk lë rast pa shfrytëzuar për t’i lënë gjërat pas dore.

Tutje Gërvalla shton se “nëse Serbia vazhdon t’i vonojë proceset në Bruksel, atëherë ne do të duhet të gjejmë forma të tjera se si të implementohen”

“Ne jemi ballafaquar në fillim kur Banka Qendrore e Kosovës nxori një rregullore të re, nga të gjitha anët jemi ballafaquar me kërkesën për ta trajtuar në mënyrë urgjente, për ta adresuar çështjen e implementimit të asaj rregulloreje në mënyrë urgjente. Siç e shihni, ne kemi disa herë që flasim rreth implementimit, pra jo rreth rregullores, jo rreth legjitimitetit të asaj rregulloreje, por rreth asaj se si dhe në çfarë periudhe do të mund ta implementonim atë rregullore në mënyrë të plotë. Rreth asaj kemi shkuar në Bruksel dhe kemi biseduar dhe me palën serbe, por si zakonisht, ndërkohë që Serbia bërtet që gjërat janë shumë urgjente, nuk lë rast pa shfrytëzuar për t’i lënë gjërat pas dore edhe për t’i vonuar. Prandaj, ne vazhdojmë me implementimin e rregullores sepse rregullorja është e një institucioni të pavarur të Republikës edhe duhet implementuar në plotni. Nëse Serbia vazhdon t’i vonojë proceset në Bruksel, atëherë ne do të duhet të gjejmë forma të tjera se si të implementohen”, tha Gërvalla për VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *