Konkursi për rreshter mbet në “qorrsokak” – Favorizohen familjarët e eprorëve, marrin pikë maksimale

2 mijë e 230 policë që kanë konkurruar për vetëm 355 vende të lira për të marrë gradën e rreshterit i janë nënshtruar më 4 maj testit me shkrim. Në konkursin për gradim të policëve në Policinë e Kosovës, ka pasur dyshime për favorizime dhe parregullsi.

Testet për kandidatët u shpërndanë më herët për disa “të preferuar” dhe rezultatet e testeve të këtyre individëve ishin dukshëm më të larta. Shumica e të favorizuarve ishin nga gjenerata e 54-të e Policisë dhe grupe të tjera të lidhura me zyrtarë të lartë

E njëjta gjeneratë, ajo e 54-të i është nënshtruar testimit.

Konkursi për gradim të policëve nga “Polic i lartë” në “Rreshter” u mbajt më 4 maj, dhe siç nënkuptohet edhe atë ditë do të duhej të shpërndaheshin testet për policët kandidatë.

Gazeta Neutral, merr vesh se nga 2 mijë e 230 policë që kanë aplikuar, pikë maksimale kanë marrë familjarët e eprorëve në Policinë e Kosovës.

Sipas burimeve të Gazetës Neutral, pikët janë si në vijim:

5 kandidatë i kanë marr ka 100 pikë;

7 kandidatë nga 99 pikë;

21 kandidatë nga 98 pikë;

28 kandidatë nga 97 pikë dhe

33 kandidatë nga 96 pikë

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se po verifikon informacionet.

E kjo çështje po monitorohet nga afër edhe nga Inspektorati i Policisë.

“Duke ju referuar kërkesës suaj, ju informojmë se IPK deri më tani nuk ka hapur ndonjë rast për çështjen në fjalë, mirëpo do të verifikoj informatat në dispozicion dhe varësisht nga të gjeturat do të procedoj sipas kompetencave të saja”, kanë thënë nga IPK-ja.

Ndryshe, pjesëmarrja e gjeneratës së 54 në gradimin nga “Polic i lartë” në Rreshter është  në kundërshtim me “Udhëzimin administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarët policor”. Neni 13 i këtij udhëzimi thotë se “Polici i lartë kërkohet të ketë minimumin e qëndrimit në gradë dy vite, i diplomuar në shkollën e mesme dhe ndaj të cilit mos të jetë shqiptuar ndonjë masë disiplinore për shkelje të rënda disiplinore apo vepër penale”, në mënyrë që t’i mundësohet gradimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *