Policia e Kosovës, konkretisht Njësia e antidrogës (DHTN) Mitrovicë veri kanë realizuar një operacion të suksesshëm bastisje dhe kontrolli në fshatin Miokovicë të Leposaviqit.
Sipas njoftimit të policisë, bastisja është kryer në një shtëpi banimi të të dyshuarit me iniciale (M.I.) dhe objektet përcjellëse, ku në një objekt përcjellës banimi në një dhomë është gjetur një laborator i improvizuar për kultivimin e bimëve të dyshuara të kanabisit.
“Operacioni policor ka rezultuar me gjetjen e gjithsej (409) bimëve të dyshuara të kanabisit me gjatësi prej 5 deri në 15 cm, një pushkë gjuetie me gjithsej (43) fishek të gjuetisë, si dhe pajisje tjera të cilat nevojiten për improvizimin e laboratorit (poqa, ventilim, termostate, nxehëse, etj.), si dhe një jakne e Policisë së Kosovës. “, thuhet në njoftimin e policisë.
“Njësia e forenzikës ka bërë fotografimin dhe sekuestrimin e dëshmive.”, njofton policia.
Sipas njoftimit. në lidhje me rastin është njoftuar prokurori nga departamenti i krimeve të rënda dhe me udhëzim të tij, nga bimët merren disa mostra që do të dërgohen në laborator, kurse pjesa tjetër me urdhër të prokurorit shkatërrohen.
Policia bën të ditur se i dyshuari me inicialet (M.I.) me aktvendim të prokurorit kujdestar ndalohet për 48 orë, kurse i dyshuari tjetër me iniciale (S.S) është në kërkim të Policisë.
“Rasti vazhdon të hetohet nga antidroga e (DHTN) Mitrovicë veri.”, thuhet tutje.