Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se është shprehur i çuditur mbi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ku flitet për probleme serioze të pavarësisë së institucioneve juridike dhe intimidim të medias.
Ai tha se Kosova është një nga vendet ku të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë më të përparuarat në rajon, duke shtuar se nëse shikohet raporti i vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm.
“Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull Freedom House, nuk citohet Transparency International, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova”, tha ai.
Kurti tutje tha se është optimist që Kosova do të kalojë me sukses edhe fazën finale të anëtarësimit në Këshill të Evropës.
“Sipas renditjes organizatave prestigjioze ndërkombëtare ne kemi bërë progres. Kësaj i shtojmë edhe faktin që kemi kaluar me sukses në mbledhjen e ambasadorëve më 24 prill të vitit të kaluar dhe mbledhjen e parlamentarëve më 16 prill të këtij viti, dhe raporti nuk ka parashikuar parakushte apo kushte që nuk i kemi plotësuar. Unë jam optimist edhe për mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të muajit maj për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, u shpreh ai për DW.