Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut nga Bashkimi Demokratik për Integrim, Artan Grubi , është tallur me koalicionin e partive opozitare shqiptare që dolën mijëra vota prapa në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale që u mbajt dje.
“Mos e harroni adapterin!”, ishte një nga postimet e Grubit në Facebook mbrëmë. Ai s’e fshehu entuziazmin që ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, kandidati për president i Frontit Europian të udhëhequr nga BDI-ja, sipas rezultateve të para doli i treti në garë me 81.748 vota apo 15.63 % të votave të fituara.
Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari, kandidat i koalicionit të partive opozitare shqiptare, sipas rezultateve të para, ka siguruar 59.591 apo 11.39 % të votave.
“Pa shikoje top listën, ec te shpija tani merre valixhen!!! Te kemi hup fajllën biro!”, shrkoi ndër tjerash Grubi në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje, që udhëheq në Kosovë, është gjithashtu në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut, në mbështetje të koalicionit opozitar shqiptar. Kryeministri Albin Kurti u angazhua në mbështetje të Arben Taravarit, por pa sukses.
Më 8 maj mbahen zgjedhjet parlamentare në RMV. Të njëjtën ditë mbahet edhe rundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale ku për shef të shtetit do të garojnë kandidatja e VMRO DPMNE, Gordana Siljanovska- Davkova, e cila po prin bindshëm në garë, dhe presidenti aktual, Stevo Pendarovski, i renditur i dyti.