“Është sëmurë kunata”- Peci tregon arsyetimet banale që erdhën nga komuna e Ramës për objektin e ministrisë

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka akuzuar komunën e Prishtinës në krye me Përparim Ramën për bllokim të ndërtimit të objektit të kësaj ministrie.

Peci me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Rama ka mohuar pajisjen e Ministrisë së Bujqësisë me kushte të ndërtimit të objektit tash e 73 ditë, shkruan Gazeta Insajderi.

“Përkundër dhjetra takimeve dhe shkresave zyrtare duke përfshirë emailin direkt në adresë të tijën, ne mbesim të bllokuar me arsyet banale dhe fiktive të zyrtarëve komunal të llojit të:

I është sëmurë babai njërit prej zyrtarëve;

Zyrtari kompetent është në pushim vjetor,

Kemi bërë disa lëshime teknike, javën tjetër ua lëshojmë;

Zyrtarit i është sëmurë kunata; e kështu me rradhë”, thuhet në postimin e tij.

“Rikujtojmë se Përparim Rama dhe Ekzekutivi i Komunës së Prishtinës ka zvarritur në vazhdimësi përgjegjësitë ligjore të cilat iu takojnë karshi kërkesave tona respektivisht të MBPZHR-së, siç janë përgjegjësitë ndaj aksioneve të inspektorëve”, vijon postimi i tij.

“Qartësojmë për qytetarët e Kosovës, se bllokimi i ndërtimit të Objektit të MBPZHR-së, ndër të tjerat mohon përfitimin e 160 milionë eurove për bujqësinë vetëm në vitin e parë nga akreditimi në IPARD, si dhe liron buxhetin e shtetit nga barra e qirasë së lartë. Njëherit ky objekt do të akomodojë zyrtarët e institucionit tonë dhe agjencive përkatëse ekzekutive”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *