Pas dështimit të iniciativës qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, ka reaguar Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Përmes një postimi në rrjetin social, X, Krasniqi shkroi se tani më shumë se kurrë BE-ja duhet t’i heqë të gjitha masat e padrejta ndaj Kosovës.
“Ka ardhur koha, tani më shumë se kurrë që BE-ja të heqë masat e padrejta ndaj Kosovës. Kosova ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes së Bratislavës. Ne duhet të ecim përpara. Nuk mund të frenohet më nga sjellja e përsëritur destruktive e Serbisë”, shkroi Krasniqi.
Ai shtoi se edhe pse u bë thirrje për bojkot, qytetarëve iu dha mundësia ta shprehin vullnetin e tyre demokratik.
“Ne siguruam infrastrukturën dhe mundësinë që qytetarët të shprehin vullnetin e tyre demokratik. Lista Serbe dhe Beogradi, nga ana tjetër, urdhëruan edhe një herë bojkotimin e procesit të votimit në 4 komunat veriore – pavarësisht thirrjeve që të mos bëhet një gjë e tillë”, shkroi ai.