Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përkujtoi masakrën e Studenicës dhe vrasjet në Fshatin e Vjetër të Ferizajt.
Hardinaj tha se kujtimi i martirëve dhe sakrifica e tyre është motiv për t’i kultivuar dhe mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën, njofton Klankosova.tv.
“Duke e parë fundin që po i vinte nga humbjet e njëpasnjëshme të shkaktuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe NATO, forcat pushtuese të Millosheviqit, në prillin e 1999 e shtuan edhe më shumë terrorin ndaj popullatës civile shqiptare”, shkroi ish-kryeministri në Facebook.
“Në fshatin Studenicë të Istogut muaji prill sjell dhimbje e kujtime për nëntë bashkëkombas që regjimi serb u mori jetën në mënyrën më barbare, tetë anëtarëve të familjes Lipaj dhe një të familjes Zeqiraj”.
“Të rrethuar në shtëpi nga forcat kriminale serbe, ata u nxorën jashtë në oborrin e shtëpisë ku u ekzekutuan nga afërsia. Pas ekzekutimit, armiku trupat e tyre i hodhi në bunarin afër shtëpisë, të cilin më pas e shkatërruan për t’i humbur gjurmët e krimit monstruoz”.
“Armiku nuk u ndal, në po të njëjtën ditë, në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, dora barbare serbe ekzekutoi pa mëshirë shtatë anëtarë të familjes Zeka dhe dy anëtarë të familjes Hoxha. Ata u vranë vetëm pse ishin shqiptarë dhe aspironin lirinë e atdheut”.
“Kujtimi i martirëve dhe sakrifica e tyre është motiv për t’i kultivuar më tej dhe mbrojtur vlerat për të cilat ata dhanë jetën”.
“Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta!”.