Në Uashingtonin politik republikanët dhe demokratët shpesh nuk pajtohen me njëri-tjetrin. Por në një çështje ka qenë gjithmonë të një mendimi: Marrëdhëniet mes SHBA dhe Izraelit janë të paprekshme. Në të gjitha dekadat, në të cilat kanë qenë në pushtet, herë republikanët e herë demokratët, nuk ka ndryshuar asgjë në miqësinë me Izraelin. Liderë të të dy partive kanë theksuar, se Izraeli nuk ka aleat tjetër më të ngushtë se SHBA, dhe se siguria e Izraelit është e panegociueshme.
Gati 300 miliardë euro mbështetje për Izraelin kanë paguar Shtetet e Bashkuara që nga viti 1948, kur u krijua shteti izraelit. Shumica sipas Këshillit për Marrëdhëniet e Jashtme, Council on Foreign Relations kanë qenë ndihma ushtarake. “Marrëdhëniet vërtet janë unike”, thotë Chuck Freilich, ish-këshilltar i sigurisë i qeverisë izraelite, docent i përkohshëm në Universitetin Columbia në Nju Jork dhe Tel Aviv. Për Deutsche Wellen ai thotë, se “nuk gjen shumë shembuj të tjerë si ky”. Sipas Freilich, vlera të përbashkëta, interesa strategjike dhe një lobig i fortë janë shtyllat kryesore të kësaj marrëdhënieje. Komiteti Amerikano Izraelit për Çështje Publike, American Israel Public Affairs Committee (AIPAC) është një nga shoqatat më efektive lobiiste në kryeqytetin amerikan. Ai angazhohet për marrëdhënie të ngushta mes dy vendeve, pavarësisht partisë politike që vjen në pushtet.
Prej vitesh Izraeli po ndjek një politikë gjithnjë e më të djathtë. Ekstremistët fetarë kanë fituar influencë politike sidomos në qeveritë e drejtuara nga Netanjahu. Përpjekjet e vazhdueshme izraelite për të normalizuar pushtimin dhe forcuar kontrollin mbi palestinezët po e përplasin Izraelin gjithnjë e më shumë me shtetet demokratike.
Qeveria amerikane po e kritikon gjithnjë e më shumë numrin e lartë të viktimave civile në Rripin e Gazës. Ajo kërkon që të vlejë “e njëjta masë e lirisë, shanseve dhe demokracisë” si për izraelitët edhe për palestinezët. Por zgjerimi i pushtimit izraelit e minon këtë vizion. Edhe ndryshimi i opinionit publik në SHBA në lidhje me Izraelin, mund të çojë aty, që marrëdhëniet Izrael-SHBA të kenë një korrigjim të kursit. Sipas sondazheve ka një hendek në rritje mes votuesve më të mëdhenj në moshë dhe të rinjve. Më të vjetrit kujtojnë ditët e një Izraeli që nënshkroi Marrëveshjen e Oslos, kur dukej e hapur rruga për zgjidhjen me dy shtete. Por të rinjtë njohin një Izrael që përdor avantazhin e njëanshëm ushtarak që ka për të penguar një zgjidhje politike me palestinezët.
Po ashtu edhe një numër i madh hebrenjsh amerikanë e kuptojnë veten si njerëz të hapur dhe liberal, dhe ndjehen të huaj me një Izrael që sipas tyre po lëviz në një drejtim tjetër. Kjo krisje në marrëdhëniet e hebrenjeve në SHBA nuk është vetëm kulturore, ajo ka pasoja edhe për sigurinë kombëtare. “Në plan afatgjatë, vlerat që përfaqëson brezi i ri amerikan në SHBA do të dalin gjithnjë e më në pah. Izraeli do të përplaset me këtë gjithnjë e më shumë dhe politikanët amerikanë do të kuptojnë, se ajo që funksiononte para 25 vjetësh, sot shkakton probleme, nëse përpiqen të dëgjojnë AIPAC”, thekson Lustick.