Gjuha turke e ka fituar statusin e “gjuhës në përdorim zyrtar” në komunën e Mitrovicës së Veriut, e cila u jepet gjuhëve të folura tradicionalisht nga njerëzit në një komunë, raporton Anadolu.
Në seancën e Asamblesë Komunale të Mitrovicës së Veriut, ku jetojnë kryesisht serbë në veri të Kosovës, kërkesa e bërë nga deputeti i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) Enis Kervan për pranimin e turqishtes si “gjuhë në përdorim zyrtar” u pranua me shumicë votash.
Deputeti i KDTP-së, Kervan, në një prononcim për Anadolu për këtë temë, tha se me votimin e këtij vendimi është vërtetuar sërish se Kosova është shtet multietnik dhe multikulturor.
Kervan tha se turqishtja është folur tradicionalisht në Kosovë me shekuj.
“Kur kam filluar një iniciativë të tillë, gjithmonë jam përpjekur të kujtoj se jo vetëm komuniteti serb jeton në rajonin verior, por edhe të gjitha komunitetet dhe nacionalitetet e tjera. Sot më në fund iniciativa u votua nga Asambleja Komunale e Mitrovicës Veriore dhe gjuha jonë turke u zyrtarizua me shumicë votash”, tha Kervan.
Turqishtja aktualisht ka statusin e “gjuhës zyrtare” në komunat e Prizrenit dhe Mamushës në Kosovë, dhe statusin e “gjuhës në përdorim zyrtar” në komunat e Prishtinës, Gjilanit, Vushtrrisë dhe Mitrovicës Jugore.
Sipas ligjit të Kosovës, një gjuhë e folur tradicionalisht brenda kufijve komunalë mund të ketë statusin e “gjuhës në përdorim zyrtar”, pavarësisht nga shkalla e përfaqësimit të saj. Statusi në fjalë nuk kërkon përdorimin e një gjuhe zyrtare në fushat e përgjegjësisë së komunës.
Sipas rezultateve të regjistrimit të fundit të popullsisë të mbajtur në Kosovë në vitin 2011, në vend jetojnë gjithsej 18 mijë e 738 turq, ndërsa afërsisht 50 mijë persona mund të flasin edhe turqisht përveç gjuhës së tyre amtare.