Trendi i shuarjes së bizneseve viteve të fundit në Kosovë ka shënuar rritje.
Në vetëm tre muajt e parë të këtij viti veprimtarinë e kanë shuar mbi 350 biznese në vend. Ndërsa janë regjistruar mbi 2 mijë të reja.
Kështu kanë bërë të ditur për Front Online nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Çregjistrimi i bizneseve ka ardhur në mënyrë vullnetare, thonë nga MINT.
“Nga data 1 Janar 2024 e deri më tani 387 biznese janë ç ‘regjistruar. Gjatë periudhës Janar-Mars 2024 janë regjistruar 2,782 biznese të reja. Çregjistrimi është bërë në mënyrë vullnetare”, thuhet në përgjigjën e MINT.
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë treguar për llojet e bizneseve që po mbyllën në Kosovë. Sallonet e floktarisë, riparimi i automjeteve, janë disa nga to.
“Aktualisht biznese aktive në Agjencinë e Regjistrimit të bizneseve janë 108,404. Veprimtaritë ekonomike më të zakonshme që kërkojnë mbylljen janë: Aktivitetet shërbyese të pijeve, taksive, mirëmbajtja dhe riparimi i automjeteve e sallonet e floktarisë dhe trajtimet e tjera të bukurisë”, thuhet në përgjigje.