Triumf Ferati, djali i ish-kryetarit të Komunës së Istogut, Fadil Ferati dhe vëllai i kryetarit aktual, Ilir Ferati, ka humbur jetën në mënyrë tragjike pasditen e sotme. I riu u gjet pa shenja jete në varrezat e fshati Gurrakoc, teksa sipas informacioneve të para, ai dyshohet se i ka dhënë fund jetës së tij.
Lidhur me vdekjen e tij ka reaguar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila përmes një telegrami ka ngushëlluar familjen Ferati.
“Humbja e parakohshme e Triumf Feratit, djalit të të ndjerit Fadil Ferati, ish-kryetar i komunës së Istogut, si dhe vëlla i kryetarit aktual Ilir Feratit, na ka tronditur të gjithëve.
Ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes së Triumfit, të afërmve dhe shoqërisë!
Në këto çaste tmerrësisht të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe shpresoj të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes duke kujtuar momentet e paharrueshme që krijuat bashkë me Triumfin.
Shpirti i tij pushoftë në paqe! I përhershëm qoftë kujtimi për Triumfin!”, thuhet në telegramin e Presidencës.