Sekretari amerikan i Mbrojtjes: Të mos gënjejmë veten, Putini nuk do të ndalet në Ukrainë

Ukraina ka vazhduar të rrëzojë dronët e nisur nga forcat ruse, të cilat kanë bërë edhe sulme me artileri për të bombarduar zonat e rajoneve kufitare. Ndërkaq sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin u zotua të martën se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e Ukrainës në luftën kundër Rusisë, megjithëse Kongresi amerikan vazhdon të mos miratojë fondet për dërgimin e armatimeve të reja.

Mesazhi i sekretarit amerikan të Mbrojtjes iu drejtua udhëheqësve të mbi 50 vendeve nga Evropa dhe mbarë bota, të cilët janë mbledhur në Bazën Ajrore Ramstein në Gjermani.

“Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin Ukrainën. Ky koalicion nuk do të lejojë që Ukraina të dështojë. Dhe bota e lirë nuk do ta lërë Ukrainën të dështojë”, tha ai.

Sekretari Austin paralajmëroi të martën se agresioni rus nuk do të ndalet me Ukrainën.

“Zonja dhe zotërinj, le të mos gënjejmë veten: Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. Por siç ka thënë presidenti Biden, Ukraina mundet ta ndalë Putinin, nëse e mbështesim Ukrainën dhe i japim armët që i duhen për t’u mbrojtur. Rrezikohet mbijetesa e Ukrainës dhe e gjithë siguria jonë”, tha sekretari Austin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *