Pak para mesnatës, mbrëmjen e 9 marsit ka ndodhur një tentim vrasje në një lokal në qytetin e Gjakovës, ku mbetën të plagosur tre persona. Me rastin tashmë është marrë edhe Policia derisa i dyshuari gjendet ende në arrati, shkruan Gazeta Neutral.
Rasti dyshohet se ka ndodhur në lokalin “Republika” në Gjakovë, ku i dyshuari Shkelzen Ahmeti (djali i ish-kryeshefit të KRU “Gjakova”, Ismet Ahmetit) është përfshirë në konflikt verbal e më pas edhe fizik me Dritan Stublla i cili punon si menaxher në lokalin e lartëcekur.
Pas konfliktit verbal, Ahmeti dyshohet se shtiu me armë zjarri në drejtim të Dritan dhe Jon Stubllës ndërsa mbeti i lënduar edhe qytetari Fidan Zhaveli.
Burimet e Gazetës Neutral bëjnë të ditur se njëri nga të plagosurit do t’i nënshtrohet sërish një operimi pasi sipas të të njëjtit burim, i lënduari ka ende probleme me reflekse.
Dosja e Ahmetit, “të fortit” të Gjakovës
Shkelzen Ahmeti, është zyrtar i Emergjencave në Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunë e Gjakovës.
Ahmeti ëdhtë person i njohur mjaft mirë në qytetin e Gjakovës jo vetëm për shkak të veprave të tij penale, por edhe për ndikimin që ka në këtë komunë.
Zyrtari i komunës i cili është i përfshirë një tentim vrasje, ka 16 raste të hapura në Policinë e Kosovës. Në vitin 2018-të, ai i kishte shkaktuar lëndim trupor një viktime për të cilin rast ishte dënuar me 900 Euro gjobë.
Dy vjet më pas, ka përsëritur veprën dhe është dënuar me 200 Euro. Në vitin 2023 ishte dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mirëpo, këtë lëndë Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim derisa verdiktin e kishin dhënë me arsyetimin se pala e akuzuar është i pafajshëm.
Kurse, në janar të këtij viti ishte dënuar me 300 Euro, po ashtu për “heqjen apo dëmtimin e vulave zyrtare”.
Afër të dyshuarit dhe viktimës, gjendej edhe një person i tretë i cili ka marrë lëndime të lehta trupore.
Ndryshe, rastin për Gazetën Neutral e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës.
Elezaj ka thënë se i dyshuari për aktin është në kërkim.
“Sot rreth orës 00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë, të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri. Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Elezaj.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaNeutral/