Deputetja e Partisë Guxo, Jeta Statovci, ka folur për marrëveshjen e Ohrit dhe zhgënjimin e BE-së për mos zbatim të saj, në njëvjetorin e arritjes së saj.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Borrell nuk duhet të zhgënjehet, pasi marrëveshja nuk është nënshkruar dhe është minuar nga Serbia, teksa shton se presioni duhet të bie mbi Serbinë.
“Zhgënjimi nuk duhet ta befasojë zotërinë Borrell, meqë marrëveshja nuk qe nënshkruar, dhe qe minuar nga Serbia pak ditë më pas. Presioni është bërë një fjalë relative tashmë kur thuhet nga BE, rasti i Banjskës e dëshmon pikërisht këtë. Unë uroj që ky presion të jetë më efikas dhe në adresën e duhur në të ardhmen, pra në Beograd”, shprehet ajo.
Statovci thekson se Kosova ka ofruar nënshkrim të marrëveshjes por s’mund të zbatohet njëanshëm, derisa këtë nuk e bën dhe Serbia.
“Kosova ka ofruar nënshkrimin, madje edhe në OKB. Ne jemi të gatshëm, por nuk mund të zbatojmë marrëveshjet dy palëshe, njëanshëm, sepse pastaj i bie që kemi bërë marrëveshje me veten dhe jo me Serbinë. Problemet gjeopolitike që ka Brukseli me Serbinë, nuk mund t’i zgjidhë njëanshëm Kosova, duke ofruar për Serbinë vetëm çfarë ata kanë kërkuar, dhe duke mos marrë ato për të cilat modeli Franko-Gjerman ka ofruar”, deklaron deputetja Jeta Statovci.