Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, sot nga Brukseli, tha se do të vazhdohet presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës dhe Serbisë, që t’i zbatojnë obligimet e tyre nga marrëveshja e arritur, fiks para një viti.
Borrell po ashtu ka shprehur keqardhje se një vit pas Marrëveshjes së Ohrit, niveli i zbatimit të saj nga palët ka qenë shumë më i vogël sesa që ai kishte pritur.
“Sot është përvjetori i parë i Marrëveshjes së Ohrit. Koha po fluturon dhe tashmë është bërë një vit prej kur kishim arritur marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që ato të lëviznin përpara drejt normalizimit. Për fat të keq, përkundër mbështetjes së gjerë ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian, Serbia dhe Kosova kanë arritur shumë pak progres”, ka thënë Borrell.
Ai ka shtuar se ka qenë e vështirë të arrihet marrëveshja që s’po zbatohet.
“Së shpejti do të kemi takimin tjetër të kryenegociatorëve këtu në Bruksel. Më vjen keq se kjo marrëveshja, e cila ishte shumë vështirë të arrihej, nuk është zbatuar. Do të vazhdojmë të bëjmë presion ndaj të dyja palëve në mënyrë që të lëvizin përpara. Por, një vit më vonë, zbatimi nuk ka qenë aq sa unë kisha pritur të jetë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, për të martën në Bruksel është paralajmëruar takimi i radhës në kuadër të dialogut, ku Kosova dhe Serbia do të përfaqësohen nga kryenegociatorët.