Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se nuk ka marrëveshje për dinarin në Kosovë, sepse sipas tij nga Serbia po kërkohet që të heqë valutën në territorin e saj.
Vuçiq për dialogun e ardhshëm në Bruksel tha se nuk ka pritje.
“Ajo që thashë ishte diçka me pasoja të mëdha dhe për këtë do të flas më hollësisht të premten. Nuk ka marrëveshje për çështjen e dinarit, ju po kërkoni që të pajtohemi që të heqim monedhën tonë në territorin tonë. Ne nuk do dhe nuk mundemi”, tha Vuçiq, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me Marrëveshjen e Brukselit dhe ekzistimin e ndonjë progresi sa i përket statusit të dinarit në Kosovë.
Vuçiq tha se evropianët mund ta bëjnë këtë me forcë, së bashku me Kosovën, por se Serbia do të gjejë një mënyrë për t’i dhënë para popullit të saj.
“Nuk ka problem, ne do të luftojmë, njerëzit tanë do të luftojnë, por ju nuk do të mund të thoni se është rënë dakord”, tha ai.