Pas vendimit të Gjykatës për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditës ndaj reperit Feronit Shabani, i njohur si Fero, ka reaguar avokati i tij Ilir Shaqiri.
Avokati Ilir Shaqiri ka thënë se do të ankohen lidhur me vendimin e Gjyaktës.
Shaqiri për Paparacin, ka thënë se ankesa do ta ketë efektin e vet.
“Ne e kemi të drejtën e ankesës dhe ne do të ankohemi dhe ka me pas efektin e vet”.
Gjykata në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj reperit Feronit Shabani, i njohur si Fero. Ai dyshohet për veprën penale “Sulm”.
“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 24.07.2022 rreth orës 17:00, në Rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, në rrugë dhe vend publik, i pandehuri pas një mosmarrëveshje të rastit me të dëmtuarin E. E. i cili ishte duke dëgjuar muzikë dhe ishte i ulur ne veturën VË Golf 6 ngjyrë e bardhë si pasagjerë të njëjtin e sulmon fizikisht i pandehuri F. Sh., duke e goditur me grushte dhe shkelma disa herë në pjesë të ndryshme të trupit, deri sa ndërhynë persona të tjerë të pranishëm për ta larguar të pandehurin”, thuhet në njoftim.
Një video që u publikua nëpër media e rrjete sociale, u bë mollë sherri që reperi nga Gjilani, Feronit Shabani, të bie në prangat e Policisë.
Në video, Fero shihet duke e rrahur brutalisht një qytetar, derisa ky i fundit ndodhej brenda një veture.
Këtë situatë, sipas raportimeve mediale, e provokoi kënga e reperit tjetër Unikkatil, ku mes vargjesh i bën ‘diss’ reperit nga Gjilani.