Emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të ketë një takim të përbashkët me liderët opozitarë nga ora 19:00.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, ka konfirmuar për Gazetën Express se kreu i partisë, Ramush Haradinaj, do të jetë në takim dhe se mirëpret angazhimin e SHBA-së për finalizimin e procesit të dialogut.
“E mirëpresim angazhimin e ShBA-së për finalizimin e procesit të dialogut me Serbinë, i cili duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Angazhimi i emisarit Escobar është kyç dhe e falënderojmë për gatishmërinë e tij për ta ndihmuar Kosovën në synimet e saj. Kryetari Haradinaj me kënaqësi ka pranuar ftesën për takim sot në ora 19:00”.
Po ashtu, në takim do të marrë pjesë edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi. Burime nga Partia Demokratike të Kosovës kanë bërë të ditur dje se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do të takohet të mërkurën me emisarin amerikan dhe me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier
Escobar aktualisht është në Presidencë për një takim me presidenten Vjosa Osmani. Pas pak pritet të dalin në një deklarim për media.