Gratë kosovare përpos dhunës psikike e fizike, gjatë martesës përballen edhe me dhunë seksuale. Ato zakonisht nuk e denoncojnë dhunën që përjetojnë, për shkak të frikës dhe stigmës. Për një ngjarje të tillë mjaft tronditëse ka nisur hetimet Prokuroria Themelore në Pejë, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti është denoncuar mbrëmë dhe dyshohet se ka ndodhur në një familje në Klinë, ku një 36-vjeçar po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj gruas.
Siç mëson Sinjali, viktima ka raportuar se i dyshuari përveç dhunës fizike e psike që ka ushtruar ndaj saj para dy ditësh, edhe e ka detyruar që të kryejnë marrëdhënie seksuale – duke i shkaktuar frikë e shqetësim.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij para hetuesve policorë, ndërsa viktimës i është ofruar tretman mjekësor.
Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj të dyshuarit janë iniciuar rastet për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Dhunim”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që detyron personin tjetër për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj/tij, dënohet me burgim prej dy deri në dhjetë vjet.