“I forti” i Gjakovës ende në arrati pasi dyshohet se plagosi dy persona, a po ia ruan “shpinën” shteti?

Mbrëmja e 9 marsit, në Gjakovë nuk ishte e qetë. Tre të rinjë u përfshinë në një konflikt verbal i cili më vonë eskaloi në plagosjen e njërit prej tyre me armë zjarri.

Gazeta Neutral ka raportuar se Shkelzen Ahmeti, është i dyshuari për plagosjen e Dritan Stubllës dhe Jon Stubllës.

Shkelzen Ahmeti, i cili është djali i ish-kryeshefit të KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, tash e dy ditë gjendet në arrati.

Ndryshe, para se të ndodhte incidenti, Ahmeti kishte darkuar në lokalin “Bulevardi” me njerëz të cilët kanë pozita të larta në vend.

Në një fotografi të siguruar nga Gazeta Neutral, i dyshuari Shkelzen Ahmeti shihet duke darkuar me zëvendës komandantin e Policisë në Gjakovë, Kapiten Ramë Bekaj, si dhe me ish-nënkryetarin e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj si dhe me disa persona të tjerë.

Si nisi konflikti?

Gazeta Neutral mëson nga burimet e veta se konflikti kishte nisur pasi në lokalin “Republika” në Gjakovë po mbahej një ndejë, në të cilën do të duhej të bëhej rezervim paraprak për të qenë të pranishëm.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se Shkelzeni kishte arritur në lokal rreth orës 00:00, por kishte kuptuar se nuk e kishte më tavolinën të cilën e kishte rezervuar. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Ahmeti ishte revoltuar me Stubllën duke ju drejtuar “Pse s’ma ki rujt venin?”.

Po i njëjti burim, bën të ditur për Neutralin se në atë moment ka nisur konflikti verbal i cili më pas ka eskluar deri në plagosjen e Stubllës me armë zjarri.

Afër të dyshuarit dhe viktimës, gjendej edhe një person i tretë i cili ka marrë lëndime të lehta trupore.

Ndryshe, rastin për Gazetën Neutral e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës.

Elezaj ka thënë se i dyshuari për aktin është në kërkim.

“Sot rreth orës  00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë,  të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri.  Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile.  Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Elezaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *