Kush me kë darkoj para ngjarjes – Gazeta Neutral sjellë detaje ekskluzive nga plagosja në Gjakovë

Mbrëmja e 9 marsit, nuk ishte e qetë për qytetin e Gjakovës, kjo pasi ndodhi një incident në lokalin “Republika”, ku konflikti verbal përfundoi me plagosjen e dy personave pasi pati edhe të shtëna me armë zjarri.

Me rastin tashmë është marrë edhe Policia derisa i dyshuari Shkelzen Ahmeti gjendet ende në arrati, shkruan Gazeta Neutral.

Burimet e Gazetës Neutral bëjnë të ditur se djali i ish-kryeshefit të KRU “Gjakova”, Ismet Ahmeti, para se të ndodhte incidenti, kishte darkuar në lokalin “Bulevardi” me njerëz të cilët kanë pozita të larta zyrtare në vend.

Në një fotografi të siguruar nga Gazeta Neutral, i dyshuari Shkelzen Ahmeti shihet duke darkuar me zëvendës komandantin e Policisë në Gjakovë, Kapiten Ramë Bekaj, si dhe me ish-nënkryetarin e OVL të UÇK-së, Nasim Haradinaj si dhe me disa persona të tjerë.

Ahmeti, gjendet ende në arrati, ndërsa Dritan Stublla i cili mbeti i plagosur nga përleshja rezulton të ketë gjendje të mirë shëndetësore, e poashtu gjendje të njëjtë ka edhe personi i dytë i lënduar nga konflikti.

Si nisi konflikti?

Gazeta Neutral mëson nga burimet e veta se konflikti kishte nisur pasi në lokalin “Republika” në Gjakovë po mbahej një ndejë, në të cilën do të duhej të bëhej rezervim paraprak për të qenë të pranishëm.

Sipas informacioneve të para, dyshohet se Shkelzeni kishte arritur në lokal rreth orës 00:00, por kishte kuptuar se nuk e kishte më tavolinën të cilën e kishte rezervuar. I gjendur në këtë situatë, dyshohet se Ahmeti ishte revoltuar me Stubllën duke ju drejtuar “Pse s’ma ki rujt venin?”.

Po i njëjti burim, bën të ditur për Neutralin se në atë moment ka nisur konflikti verbal i cili më pas ka eskluar deri në plagosjen e Stubllës me armë zjarri.

Afër të dyshuarit dhe viktimës, gjendej edhe një person i tretë i cili ka marrë lëndime të lehta trupore.

Ndryshe, rastin për Gazetën Neutral e ka konfirmuar Sheremet Elezaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës.

Elezaj ka thënë se i dyshuari për aktin është në kërkim.

“Sot rreth orës  00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë,  të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri.  Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile.  Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ka thënë Elezaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *