Përleshjet mes të rinjve jo rrallëherë ndodhin për shkak të zënkave që fillojnë në rrjete sociale dhe eskalojnë në kanosje serioze e rrahje brutale. Për të tilla raste shumë të rinj kanë përfunduar në prangat e Policisë, duke u futur kështu në telashe, raporton Gazeta Neutral.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në Gjakovë ku dhjetë persona janë përfshirë në një rrahje masive, ku fillimisht konflikti kishte nisur në rrjetin social Tik Tok.
Burimet e Gazetës Neutral bëjnë të ditur se shkak i përleshjes ishte një video e shpërndarë në rrjetin social Tik Tok, ku më pas është përdorur edhe një revole gjatë përleshjes.
Po të njëjtat burime, thonë për Gazetën Neutral se të dyshuarit janë nga familja Murturi nga fshati Brekoc i Gjakovës.
Ndryshe, në raportin 24 orësh, Policia ka njoftuar se dhjetë persona janë arrestuar.
Policia ka thënë se mosmarrëveshja mes tyre ka nisur në rrjete sociale.
“Janë arrestuar dhjetë (10) të dyshuar, pasi të njëjtit janë përfshirë në rrahje në mes veti ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, dyshohet për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin pasur në rrjete sociale. Si pasojë lëndime kanë pësuar dy nga të dyshuarit të cilëve u është ofruar tretman mjekësor, ndërsa njësitet policore te një i dyshuar tjetër kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë të tipit Bloë-Magnum, e cila dyshohet se është përdorur. Me vendim të prokurorit, të gjithë (10) të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje”, ka njoftuar Policia.