Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në hapjen e konferencës së organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Grave, tha se synimi i tyre për barazi e drejtësi nuk ka alternativë.
Ai ka përmendur edhe skemat ku janë përfituese gratë e Kosovës. Kurti tha se janë mbi 90 mijë gra që për herë të parë kanë hapur llogari bankare.
Sipas tij, qeveria që udhëheq ai është demokratike dhe feministe e kjo, sipas tij, dëshmohet me politikat që po i ndërmerr.
“Synimi ynë për barazi dhe dritësi nuk ka alternativë, politikat feministe po e ruajnë demokracinë. Ky është edhe shteti për të cilin punojmë çdo ditë, demokrat po por edhe feminist, këtë e dëshmojmë edhe me politikat tona. Me secilin dikaster kemi marr masat për lehtësimin e jetës të vajzave dhe grave. Ne qeverisim me parime socialdemokrate dhe qasja e tillë ka qenë edhe me politikat tona për qytetarët. Filluam me shtesat për lehona dhe për fëmijë. Qeveria jonë ka qenë e përkushtuar që ndryshimin për barazi social ta nisë edhe ne sektorin publik. Fuqizimi pozitës së grave ne shoqëri është njëra ndër ndryshimet thelbësore që qeveria jonë e ka që në fillim të mandatit”, tha Kurti.
Kurti tha se gjatë muajit mars do të hapet thirrja për fuqizim ekonomik për gratë dhe vajzave që janë familjare të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.
“Gati 25 vjet pas mbarimit të luftës i kujtojmë çdo sakrificë që kanë bërë. Disa e vazhdojnë luftën se për to nuk ka përfunduar. Këto sakrifica nuk mund të shpaguhen financiarisht. Por mbështetja jonë duhet të jetë edhe financiare. Sistemi ynë i rendite familjarë të personave të zhdukur lartë në regjistrin e lirisë. Këtyre vlerave po ju shtojmë edhe masën për mbështetje familjareve gra dhe vajzave të personave që janë zhdukur me dhunë gjatë luftës. Gjatë muajit mars do të hapim thirrjen për fuqizim ekonomik për gratë dhe vajzave që janë familjare të personave që ende rezultojnë si të zhdukur me dhunë të pa gjetur që nga lufta”, tha ai.
E kryeshefja e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, tha se kjo ditë është për të kujtuar kontributin e grave ne ndërtimin paqes e demokracisë.
“Në 20 vjetorin e ligjit për barazi gjinore kujtomë që ishte dhe është obligim i çdo qytetari pa dallim gjinie të mbronte dhe ta mbroj jetën e te gjithë atyre grave dhe vajzave që humbën jetën si viktima të dhunës në familje dhe atyre që vazhdojnë të ballafaqohen me dhunën”, deklaroi ajo.