Luan Jusufi, ish-këshilltar politik në kabinetin e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është zgjedhur drejtor i shërbimeve postare në Postën e Kosovës.
Jusufi, i cili kishte shërbyer si këshilltar i Gërvallës nga korriku i vitit 2021 deri më 28.02.2023, është zgjedhur drejtor i shërbimeve postare në Postën e Kosovës përmes një konkursi të jashtëm, i cili ishte hapur më 20.10.2023.
Luan Jusufi në një përgjigje për KALLXO.com ka mohuar të ketë pasur ndikime politike në punësimin e tij në Postën e Kosovës.
“Absolutisht nuk ka pasur ndikim. Nuk kam qenë anëtar i asnjë partie dhe as nuk jam” – ka thënë ai.
Edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë mohuar se ka pasur ndikim nga ministrja Donika Gërvalla në punësimin e ish-këshilltarit të saj, Luan Jusufit, si drejtor i shërbimeve postare në Postën e Kosovës.
“Luan Jusufi, nuk ka qenë i angazhuar si Këshilltar Politik në Kabinetin e zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme të Diasporës që nga data 28.02.2023 dhe rrjedhimisht nuk ka pasur asnjë ndikim nga ministrja, znj. Donika Gërvalla apo kabineti i saj në punësimin e tij”- thuhet në përgjigjen e MPJD-së për KALLXO.com.
Më 03.03.2024, KALLXO.com ka dërguar pyetje në email të kryeshefes së Postës së Kosovës, Nora Rraci, për mundësinë e ndikimit për punësimin e Jusufit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje. KALLXO.com ka tentuar të marrë përgjigje përmes telefonit, por e njëjta ka qenë e paqasshme.
Nora Raci është emëruar kryeshefe ekzekutive me vendim të bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës më 30.11.2022 dhe e njëjta e nisi punën më 10.01.2023. Bordi i Postës së Kosovës është emëruar nga Qeveria Kurti.
Si u zgjodh Luan Jusufi?
Luan Jusufi është punësuar në Postën e Kosovës përmes një konkursi të jashtëm, i cili ishte shpallur pasi kishte dështuar përzgjedhja për këtë pozitë përmes një konkursi të brendshëm të shpallur më 13.09.2023.
Në konkursin e brendshëm kishin aplikuar pesë punonjës të Postës së Kosovës. Në një përgjigje për KALLXO.com, Posta e Kosovës ka thënë se konkursi është anuluar për shkak se vetëm njëri nga kandidatët ka qenë i kualifikuar për këtë pozitë.
Pjesë e Komisionit vlerësues në konkursin e brendshëm kanë qenë Petrit Karakashi – kryetar, Saranda Ademi – anëtare, Ramadan Neziri – anëtar. Fillimisht, pjesë e Komisionit vlerësues në konkursin e brendshëm ka qenë Salih Morina – kryetar, Fakete Kadiu – anëtare dhe Petrit Karakashi – anëtar.
Posta e Kosovës për KALLXO.com ka thënë se gjatë procesit dy anëtarë kanë paraqitur konflikt interesi dhe të njëjtit më pas janë zëvendësuar.
“Në bazë të raportit të konfliktit të interesit është plotësuar dhe zëvendësuar komisioni dhe ka qenë në përbërje: Petrit Karakashi (kryetar), Saranda Ademi (anëtare), Ramadan Neziri (anëtar)”- thuhet në përgjigjen e Postës së Kosovës.
Në lidhje me këtë konkurs, sipas këtij institucioni nuk ka pasur ndonjë ankesë.
Pas dështimit të konkursit të brendshëm, Posta e Kosovës ka shpallur konkursin e jashtëm më 20.10.2023, në të cilin kishin aplikuar 10 persona. Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në Postën e Kosovës, KALLXO.com ka siguruar pikët e testit me shkrim dhe pikët e intervistave për pesë kandidatët të cilët janë intervistuar nga Komisoni vlerësues. Përbërja e komisionit vlerësues ishte e njëjtë me atë të konkursit të brendshëm, Petrit Karakashi – kryetar, Saranda Ademi – anëtare, Ramadan Neziri – anëtar.
Luan Jusufi kishte rezultuar më i suksesshmi ndër pesë kandidatët që kishin aplikuar për pozitën e drejtorit të shërbimeve postare në Postën e Kosovës.
Jusufi në total, duke përfshirë testin me shkrim dhe intervistën me gojë kishte grumblluar 74.3 pikë. I dyti ishte renditur, Ferki Maxhuni me gjithsej 73.6 pikë. Pjesë e këtij procesi ishin edhe Nazmi Kryeziu, Edonë Luta Pllana dhe Naim Sahiti.
Nazmi Sahiti u rendit në vendin e tretë me 73.6 pikë; kandidatja Edonë Luta Pllana me gjithsej 43.8 pikë u rendit në vendin e katërt ndërsa Nazmi Kryeziu mori gjithsej 39.1 pikë dhe u rëndit në vendin e 5-të, apo i fundit nga pesë kandidatët e intervistuar.
Posta e Kosovës ka thënë për KALLXO.com se në konkursin e dytë ka pasur një ankesë e cila është trajtuar nga Komisioni i ankesave i përbërë nga Shpëtim Dobra – kryetar, Vlora Shabani – anëtare dhe Ragip Hoxha – anëtar.