Qeveria me njoftim pas takimit Bislimi-Lajçak: Rregullorja e BQK s’është pjesë e dialogut, Serbia t’i mbështesë financiarisht serbët

Zyra e Kryeministrit ka lëshuar një komunikatë për media për takimin që sot zhvilloi në Prishtinë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak.

Bislimi për rregulloren e BQK-së tha se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve.

“Mbi Rregulloren e BQK-së, zëvendëskryeministri Bislimi sqaroi se kjo nuk është pjesë e procesit të dialogut dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve. Po ashtu, e siguroi z. Lajçak qё Qeveria ёshtё e interesuar tё sigurojё vazhdimёsinё e mbёshtetjes financiare tё Serbisё për serbët e Kosovës nё fushёn e edukimit, shёndetёsisё dhe mbrojtjes sociale”, thuhet në njoftim.

Në takim, sipas ZKM-së, gjithashtu u bisedua mbi ecjen tutje dhe avancimin në zbatimin e Marrëveshjes Bazike. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi ritheksoi se marrëveshja duhet të zbatohet përmes një plani të sekuencimit të drejtë, të barabartë e të balancuar mes palëve.

 Ai tha se nënshkrimi i marrëveshjes është garancë dhe për pranim e zbatim të saj.

“Në këtë drejtim, refuzimi nga Serbia dhe letra e kryeministres Bërnabiq dhjetorin e kaluar, nuk kontribuojnë pozitivisht në frymën e dialogut dhe zbatimin në plotëni të marrëveshjes”.

Ndërkohë, mbi masat ndëshkuese ndaj Kosovës, u kërkua nga ana e Bislimit heqja e tyre “sa më parë”, duke shtuar se ato janë të padrejta dhe se duhet të bëhen hapa finalizues drejt heqjes së tyre.

Më tej, në lidhje me rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës, u sqarua dhe nga emisari Lajçak që anёtarёsimi i Kosovёs nё kёtё organizatё nuk ndёrlidhet me procesin e dialogut dhe se ato janë dy procese të ndara, sipas ZKM-së.

“Përgjatë takimit, u ngritën dhe çështje të tjera të lidhura me procesin e dialogut si mbarëvajtja e zbatimit të marrëveshjes së energjisë me theks tek qasja jobashkёpunuese rreth mirёmbajtjes sё linjave tё interkoneksionit; ajo për targat, dhe telekomunikacioni. Mbi këtë të fundit, u adresua shqetësimi për shkeljet e vazhdueshme të Serbisë dhe ndërhyrjet në frekuencat brenda territorit tё Republikёs sё Kosovёs, shqetёsime kёto tё ngritura si nga ARKEP ashtu edhe nga KPM”.

Zëvendëskryeministri Bislimi adresoi dhe çështjen e pasaportave ilegale KU, e mbi të cilën nënvizoi se ky propozim vijon të jetë i padrejtë dhe se i njëjti e dëmton dhe procesin e dialogut.

Në përfundim, ai e njoftoi emisarin dhe me hapat të cilat po i ndërmerr Qeveria, si mbështetja me dy mijë vende pune në katër komunat veriore, si dhe përmendi raportin më të fundit të UNDP-së i cili konstatoi rritje në ndjenjën e sigurisë tek serbët e Kosovës, nga 15.3% dhe 33.8% sa ishte në dy vitet e kaluara, në 37.6%.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *