Zelensky në pritje të “propozimeve konkrete” prej shefit të ushtrisë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është në pritje të një “raporti të detajuar dhe propozimeve konkrete” prej gjeneralit Oleksandr Syrskiy, i cili është emëruar shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ukrainase më 9 shkurt.

Në një video-adresim, në orët e vona të 2 marsit, Zelensky ka thënë se Syrskiy është kthyer ditëve të fundit prej një vëzhgimi që i ka bërë linjës së frontit dhe se ai është i lirë që të bëjë ndryshime të zyrtarëve nëpër pozita ushtarake,

Po të shtunën, Syrskiy ka bërë të ditur disa lëvizje që ka bërë nëpër brigada ushtarake, dhe përmes një postimi në Telegram ka treguar se gjatë vizitës së tij në pjesën lindore të frontit e ka kuptuar se “disa brigada arrijnë të luftojnë armikun dhe t’i mbajnë pozicionet, e disa jo”.

Këto deklarata janë bërë pak ditë pasi forcat ushtarake ruse e kanë marrë kontrollin e qytetit Avdivka në rajonin e Donjeckut, pas një fushate luftarake të gjatë dhe shumë të kushtueshme, sidomos në kohën kur ka raportime se mbrojtja ukrainase po përballet me mungesë municionesh si pasojë e bllokimit të ndihmës prej Perëndimit.

Zelensky ka thënë se është duke biseduar vazhdimisht me partnerët perëndimorë për armët dhe “ofrimin e mbështetjes”.

Një paketë e madhe ndihme, në vlerë të 61 miliardë dollarëve, është bllokuar në Kongres, për shkak të kundërshtimeve të disa republikanëve konservatorë që kërkojnë ashpërsim të ligjeve për migrimin në SHBA.

“Ukraina nuk ka kërkuar asgjë përveç asaj që i duhet për të shpëtuar jetë. Është e pamundshme të kuptohet se si partnerët mund të lejojnë që lojërat apo mospajtimet politike të kufizojnë mbrojtjen tonë, teksa humbim jetë”, ka thënë Zelensky.

Më 21 shkurt, Kombet e Bashkuara kanë thënë që të paktën 10.582 civilë ukrainas janë vrarë prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të viti 2022, ndonëse, sipas organizatës “shifra e saktë mund të jetë edhe më e lartë”.

Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *