Në veri nis shpërndarja e faturave të rrymës

Në veri të Kosovës nga 29 shkurti ka filluar shpërndarja e faturave të energjisë elektrike, konfirmojnë në terren gazetarët e Radios Evropa e Lirë. Faturat i ka lëshuar kompania Elektrosever, që është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS (Elektroprivreda Srbije).

Kjo kompani mori licencën për autoritetet në Kosovë më 24 qershor të vitit 2023.

Banorët e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që nga viti 1999, nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar.

Qytetarët në komunën e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut nga tani do t’i marrin faturat për shpenzimin e rrymën në adresat e tyre. Fatura është me një pagesë fikse minimale prej 21.60 euro.

Në një faturë të lëshuar nga kompania Elektrosever, të cilën e siguroi Radio Evropa e Lirë, shkruhej se ajo ishte “parallogaria për energjinë e konsumuar për periudhën llogaritëse”. Fatura është në gjuhën shqipe dhe serbe, dhe në vlerën fikse të pagesës është përfshirë edhe 8 për qind Tatim mbi Vlerën e Shtuar.

Së bashku me faturën, qytetarëve në veri të Kosovë, u janë dërguar edhe kontrata për furnizim me energji elektrike.

Sipas kësaj kontrate, faturimi i energjisë elektrike të konsumuar “llogaritet sipas modelit tarifor të dakorduar”, pra do të ketë tarifa të larta dhe të ulëta.

Sapo qytetarët të pagujnë faturën fikse prej 21.60 eurosh, Elektrosever do të konsiderojë se kontrata për furnizim me të është lidhur.

Në fillim të këtij viti, Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) njoftoi se në katër komunat në veri të Kosovës ka nisur regjistrimi i energjisë elektrike të shpenzuar, duke theksuar se rryma do të paguhej njësoj si në pjesën tjetër të shtetit.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2023, Bashkimi Evropian kishte njoftuar se kompania serbe, Elektrosever, kishte nënshkruar kontratë komerciale për energji me Kompaninë kosovare për Shpërndarje të Energjisë Elektrike (KEDS).

Më 21 qershor të po atij viti, Kosova dhe Serbia e nënshkruan udhërrëfyesin për zbatimin e Marrëveshjes për Energji, që ishte arritur më 2013 në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Por, as marrëveshja e as udhërrëfyesi nuk gjetën zbatim. Marrëveshja e nënshkruar në kuadër të dialogut synon rregullimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike për katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Qytetarët e këtyre komunave që nga viti 1999 nuk kanë paguar për energjinë e shpenzuar. Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *