Policia e Kosovës ka njoftuar sot se ka arrestuar një person në Prishtinë, pasi që dyshohet se ka qëlluar me armë qenin e një shtetasi të huaj.
I dyshuari, sipas burimeve të Gazetës Neutral është djali i një zyrtareje të Policisë së Kosovës.
Gazeta Neutral merr vesh ekskluzivisht se bëhet fjalë për policen, Sevdije Krasniqi.
Sipas raportit 24-orësh të PK-së, rasti thuhet se ka ndodhur të hënën dhe po hetohet në drejtim të veprës penale “përdorim i armës”.
“Ankuesi mashkull, shtetas i huaj, ka njoftuar se me armë zjarri ishte qëlluar qeni i tij, nga i dyshuari mashkull kosovar. Lidhur me rastin në cilësinë e dëshmitares është intervistuar një femër kosovare”, thuhet në raportin e Policisë.
Në vendin e ngjarjes thuhet se njësitet policore kanë konfiskuar armën, dy karikatorë, disa fishekë si dhe një gëzhojë.
I dyshuari thuhet se pas arrestimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.