“Rusia mund të bëjë gjithçka që të destabilizojë situatën në Ballkan dhe kudo ku Bashkimi Sovjetik ka qenë i pranishëm”.
Kështu deklaroi Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, pas samitit për Ukrainën, që u mbajt sot në Tiranë.
Më tej ai bëri apel për vijimin e mbështetjes për Ukrainën, pasi sipas tij, nëse ndalemi, apo bëjmë pauza, Rusia nuk do të ndalet.
“Fakti që gjendemi këtu në një tryezë të gjithë së bashku, që kemi natyrisht shembuj historik të marrëdhënieve të ndryshme, është një shembull i rëndësishëm që kemi ardhur e bërë së bashku, një mënyrë për t’u mbrojtur, një rrugë drejt paqes që nuk çon te lufta. Unë mendoj se ajo që po ndodh tani është shembulli i duhur. Ndoshta nuk është e thjeshtë, për të gjithë ata që janë ulur rreth një tryeze, mund të jetë e vështirë edhe për shoqëritë e tyre udhëheqëse”, tha Zelensky.
Ne, shtoi Presidenti Zelensky, nuk u kushtojmë vëmendje provokimeve. Sipas tij, provokimet vetëm përçajnë.
“Samiti i sotëm ka të bëjë me bashkimin dhe mendoj se shtetet e Ballkanit duhet të jenë së bashku. Rusia do të bëjë gjithçka të destabilizojë situatën. Në fakt nuk e ka gëlltitur situatën në Ukrainë. Dhe nuk ja ka dalë aty. Ju jam mirënjohës shteteve tuaja, partnerëve, të gjithë atyre që e kanë ndihmuar Ukrainën”, deklaroi Presidenti ukrainas.
“Rusia del në përfundime për gabimet që ka bërë në territorin e Ukrainës dhe do të stabilizojë më tej, nëse do të ketë mundësinë e këtyre pauzave dhe mundësinë të mbijetojë politikisht kundër nesh. Do të përpiqet të ushtrojë ndikim në ato vende ku mundet të përfitojë suksese të menjehershme. Vendet Baltike, Moldavia, vendet e Ballkanit janë nën kërcënim, kudo ku bashkimi sovjetik ka qenë i pranishëm”, deklaroi Zelensky.