Gjykata e Apelit e kthen Enver Sekiraqën në arrest shtëpiak

Gjykata e Apelit ka vendosur që të pandehurit Enver Sekiraqa, i akuzuar për shtytje në vrasje të Triumf Rizës, t’i kthehet masa e arrestit shtëpiak.

Sekiraqës i ishte caktuar masa e paraqitjes në stacion policor më 09.02.2024 nga Gjykata Themelore.

Ndaj caktimit të kësaj mase kishte reaguar edhe babai i të ndjerit Triumf Riza, Shefqet Riza, i cili e kishte konsideruar si “tallje me drejtësinë’, dhe kishte shtuar se për rastin e djalit të tij po luhet një lojë pasi tash e 18 vite nuk ka ndonjë epilog përfundimtar.

“S’e di, është skandaloze, është tallje me drejtësinë, kurrgjë ma shumë. Rasti nuk ka marrë epilog sepse po luajnë një farë loje të ping-pongut. Qe tri herë po kthehet në rigjykim rasti nga Gjykata e Apelit, ajo po e kthen. Kjo është shkaktari, qe 16 vjet nuk po kryhet kjo punë”- kishte thënë ai gjatë një bisede me KALLXO.com.

Ankesë ndaj kësaj mase kishte bërë Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Apeli e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë.

“Gjykata e Apelit e Kosovës me aktvendimin PN1.S.nr.37/24, të datës 23.02.2024, e ka aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, PKR.nr.170/2020, të datës 09.02.2024, e ka ndryshuar, dhe ndaj të pandehurit E.S është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj, e cila do t’i llogaritet nga data 23.02.2024. Masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit është caktuar konform dispozitës ligjore nga nenin 181 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1 e 1.2 të KPPRK-së”- thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.

Më 30.08.2007 në Prishtinë kishte mbetur i vrarë Triumf Riza, i cili ishte pjesëtar i atëherë Shërbimit Policor të Kosovës (tani Policia e Kosovës).

Në drejtim të tij ishin shkrepur 11 plumba, tre prej të cilëve e kishin plagosur për vdekje.

Për vrasjen e Triumf Rizës është gjykuar dhe dënuar me burg Arben Berisha.

Arben Berisha ishte gjykuar si ekzekutues i drejtpërdrejtë, ndërsa Enver Sekiraqa është gjykuar 2 herë si shtytës i Arben Berishës për të vrarë Triumf Rizën.

Enver Sekiraqa më 16.09.2019 ishte shpallur fajtor për herë të dytë për shtytjen e Arben Berishës për vrasjen e Triumf Rizës dhe ishte dënuar me 30 vjet burgim.

Enver Sekiraqa dënimin prej 30 vjetësh e dërgoi në Gjykatën e Apelit.

Apeli kishte vendosur që të pranojë ankesën e përbashkët të dy avokatëve të Enver Sekiraqës, avokate Kosovare Kelmendi dhe avokatit sllovak Bostjan Prenko, duke e gjetur aktgjykimin me gabime të cilat rezultuan me kthimin e çështjes në rigjykim dhe rivendosje.

Me kthimin e çështjes penale në rigjykim, Enver Sekiraqa fitoi të drejtën që për herë të tretë ta sfidojë Prokurorinë e Kosovës, e cila e akuzon për shtytje në vrasjen e Triumf Rizës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *