Pavarësisht përpjekjeve të faktorit ndërkombëtar që Kosova dhe Serbia të ulen në tryezën e bisedimeve, palët nuk po tregojnë vullnet për një gjë të tillë.
Madje politologu serb, Boris Varga shprehet skeptik se përgjatë këtij viti do të ketë progres në dialog mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Varga, është pesimist për të ardhmen e këtij procesit pas sulmit terrorist në Banjska, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Sipas tij krejt çfarë mund të pritet gjatë këtij viti është një takim formal mes palëve të përfshira në negociata.
“Që nga marrëveshja e Ohrit nuk është shënuar përparim, prandaj me shumë gjasë as gjatë këtij viti nuk do të bëhet ndonjë progres. Krejt çfarë mund të presim është ndonjë formalitet, që do të kënaqë tri apo katër palët. Mund të jetë ndonjë takim, ndonjë fotografi në Bruksel me përfaqësuesit e Kosovës, Serbisë, Evropës, dhe eventualisht SHBA-ve që të mbahet kjo formë. Jo vetëm që nuk është shënuar progres në dialog por ka pasur degradim me atë se çfarë ndodhi në Banjska”, ka deklaruar politologu, Boris Varga.
Varga, konsideron se gjithçka ka ndryshuar pas 24 shtatorit, dhe se sulmi terrorist ndaj policisë së Kosovës, ka ndikuar që pala kosovare si dhe komuniteti ndërkombëtar ta humbasin besimin tek presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Situata, akti terrorist në Banjskë, ka qenë shqetësues. Përshkallëzimi më i madh i krizës në veriun e Kosovës që nga viti 1999. Ka qenë një tronditje e stabilitetit, dialogut, një sfidë që është në kundërshtim me gjithçka që janë pajtuar palët e Prishtinës dhe Beogradit në Ohër, dhe në kundërshtim me atë që bëhet në dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte tragjedi e madhe, e cila ishte shumë afër të përshkallëzohej. Gjërat sigurisht ndryshojnë me aktin terrorist në Banjskë. Nuk ka më besim, siç thashë, më shumë është formalitet, se sa dialogu real që do të vendoste lidhje të mira mes dy shteteve, Kosovës e Serbisë. Pra Banjska është një shkëmb që ndan erën e re të them. Besoj që Kosova nuk ka besim në Vuçiçin dhe Serbinë. Gjithashtu mendoj që as Bashkësia Ndërkombëtare nuk ka besim tek Vuçiqi”, ka thënë ai.
Ai tutje thotë, se krerët shtetëror serb nuk kanë hequr dorë nga Serbia e madhe.
Andaj Varga, vlerëson se për shkak të politikanëve nacionalist serb, Kurti është në një pozitë më të mirë, por ai shton se po të ishte ne krye te vendit një politikan liberal siç ishte Zoran Gjingjiq, atëherë Kosova do të ishte ne një pozitë më të vështirë.
“Ka tendenca që Beogradi përmbledhë tokat serbe, përsëri është çështja territoriale si në vitet 90-ta, kur diskutohet nëse duhet dhe si duhet të rinovohet ideja serbomadhe. Kjo tash ekziston si Bota Serbe, ose që nga fillimi i luftës në Ukrainë ne e quajmë ish-ideja serbomadhe, tash është bota serbo-ruse, dhe kjo ide duhet të mbledhë vendet serbe, e këtu janë Serbia, Republika Srpska, Mali i zi, dhe pjesë të Kosovës, pjesët territoriale veriore të Kosovës, nga kjo pikëpamje, kujdesi i Kurtit është sigurisht i kuptueshëm, në anën tjetër Kurti bën politikën e tij. Ai shfrytëzon prezencën e radikalëve në Serbi, që i lehtëson agjendën e tij, pak politike për të përmbledhur edhe votat nacionaliste, të frikësuarve e të frustruarve. Themi po të ishte në Beograd në pushtet Zoran Gjingjiq, një kryeministër më i mençur, jo një nacionalist i tillë, jo një ish-radikal, gjithsesi se do të kishte pasur pyetje shumë më të ashpra për z. Kurtin, për shembull pse nuk është themeluar Asociacioni i Komunave Serbe”, tha Varga.
Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.