Laboratori i Toksikologjisë prej disa kohësh është jashtë funksionit. Mësohet se Laboratori nuk punon që prej zhdukjes së disa mostrave të rastit Dehari, përderisa situatën e ka përkeqësuar edhe më shumë zjarri i cili kaploi objektin e IML-së.
Zjarri që kaploi Institutin e Mjekësisë Rizore nëntorin e kaluar, shkaktoi shumë dëme. Mes tyre dëmtoi edhe laboratorin e Toksikologjisë.
Laboratori trajton kryesisht prova të cilat kanë të bëjnë me procese gjyqësore. Tashmë të gjitha prova që trajtohen nga ky laborator janë duke u dërguar jashtë vendit.
Në mesin e tyre janë edhe disa prova të cilat ndërlidhen me sulmin terrorist në Banjës të Zveçanit. Mos funksionalizimi i laboratorit, sipas avokatit Florim Shefqeti po shkakton vonesa në proceset gjyqësore.
“Këto vonesa kanë shkaktuar edhe vonesa në trajtimin e rasteve në kuptim të efikasitetit të procedurave. Ky fenomen, përveç i këtij laboratori, shfaqet edhe në aspektet e ekspertizave të tjera, konkretisht ka qenë aktual edhe në pjesën e shtretërve me institutin e psikiatrisë por edhe te ekspertizat rutinore që realisht vonohen për shkak të mungesës së kuadrot e mjaftueshme dhe pajisje të mjaftueshme”, ka deklaruar Shefqeti.
Televizioni Dukagjini mëson se laboratori kishte probleme në funksionim prej kohës kur u zhdukën disa prej provave në rastin e Astrit Deharit.
E në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore akoma nuk ka nisur renovimi, prandaj edhe rifunksionalizimi i laboratorit duket i largët.
“Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autoritetin shtetëror, shteti mbetet përgjegjës, jo konkretisht si në këtë rast, për shembull, Instituti i Mjekësisë Ligjore, mirëpo paditet shteti për shkak se nuk ka arrit me organizua një gjykim të drejtë. Çdo vonesë që mbartet në përgjegjësi të shtetit, edhe që është përgjithësi e drejtpërdrejtë e shtetit, sikur kjo në realizimin e vlerësimeve, ekspertizave të nevojshme për një proces gjyqësor, qoftë penale apo tjera, është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e shtetit dhe kjo sigurisht se ka të bëjë me gjykimin e drejtë që është neni 5 dhe 6 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”.
Ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari tregon se dërgimi i provave për ekzaminim në institute jashtë vendit mund të shkaktojë probleme tjera.
“Përgjegjësinë në këtë situatë, për shembullin, do ta kishin bartë Instituti i Mjekësisë Ligjore, pavarësisht se çfarë do të kishte ndodhur apo nëse do të ishin kontestuar ato vlerësime apo analiza. Mirëpo, tani kur të kesh raporte kontraktuale me institutet tjera, është vështirë me fut në përgjegjësinë e përgjegjësisë ligjore, në rast se ato kanë dështu ose thjesht i kanë manipulu ose i keqpërdor ose është abuzu në çfarëdo forme”.
Ministria e Drejtësisë e as Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk i janë përgjigjur televizionit gjatë javës në lidhje me arsyet e mos funksionalizimit të laboratorit toksikologjik.