Pesë persona janë arrestuar sot në Prizren në një aksion të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike
Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se 4 prej të arrestuarve janë zyrtarë të Zyrës për Kthim dhe Komunitete në Komunën e Prizrenit, derisa një tjetër është përgjegjës i kompanisë fituese të tenderit për “Furnizimi me material ndërtimor për ndërtimin e shtëpive te familjeve skamnore “.
Të arrestuarit siç merr vesh Sinjali janë: 1.Cengiz Curciali, që mbante pozitën e Koordiantorit në zyrë;
2. Idbalka RAMA, kryetare e komisionit;
3. Raim DZAFERI, anëtar i komisionit,
4. Asim IMERI, anëtar i komisionit vlerësues si dhe
5.Shaban ADEMAJ, përgjegjës i një Operatori Ekonomik të përfshirë në keqpërdorim.
Ata janë arrestuar problemet e evidentuara nga Zyra e Auditorit Kombëtar, mbi dyshimet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, lidhur me Tenderin “Furnizimi me material ndërtimor për ndërtimin e shtëpive te familjeve skamnore dhe rasteve sociale te komunitetit minoritar ne Komunën e Prizrenit”.
Sinjali merr vesh se Komuna e Prizrenit nga këta persona është dëmtuar rreth 13 mijë euro.
Ata dyshohet se kanë falsifikuar listën e materialit dërgues për disa familje përfituese, duke falsifikuar listën e emrave të produkteve të materialit ndërtimor.
Veç kësaj, dyshohet se kanë bërë edhe falsifikimin e nënshkrimit të personave përfitues, kinse të njëjtit kanë nënshkruar pranimin e materialit, e që në fakt nuk e kanë marrë materialin.
Ata ngarkohen edhe me dyshimet se kanë nënshkruar edhe listat me material ndërtimor, kinse materiali është pranuar nga përfituesit gjatë muajit dhjetor 2021, derisa ky material së paku te katër familje nuk ishte dërguar.
Pesë të arrestuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.