Serbia e din se forma më mirë për t’u rikthyer në Kosovë është kur Kosova i prish raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën perëndimore”, kështu ka vlerësuar nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri.
Më tej, ai ka thënë se në Serbi po ndërtohet politika që në Kosovë të mos kthehen me luftë, por me mjete paqësore.
“Politika e ka ndërtuar qëndrimin Akademia e Shkencave dhe Kisha Ortodokse në Serbi e kanë dhënë bekimin se kthimi i Kosovës është me mjete paqësore dhe nuk ka më luftë. Nuk ka ndryshuar ky qëndrim në Serbi”.
“Serbia kërcënimin në siguri e bën pas luftës në Ukrainë dhe kërcënimin e ka për konsum të brendshëm politik, 47 qendrat ushtarake, qendra ruse në Nish, qerthet që i ka brenda në Kosovë dhe Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut dhe në regjionin në kuadër të botës serbe i bon më shumë për efekte të brendshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, tani Serbia ka dalë nga këndi i vdekur politik, pasi Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë mundësuar asaj ta njohë Kosovën vetëm në mënyrë indirekte.
“Amerikanët Serbisë i kanë dhënë mbështetjen për një njohje indirekte, amnisti më të madhe nuk ka. E gjithë kjo që po ndodh në Beograd është skenar i asaj që sillet si viktimë, deklarohet si viktimë para popullit të vet me lot duke prezantuar presidenti i Serbisë rolin e tij si viktimë”, ka theksuar Haziri.
“Lufta e madhe po bahet që me pasë një njohje nga Serbia, por nuk po pritet një gjë e tillë. Ne i kemi humbur dy herë mundësinë që Serbia ka qenë në këndin e vdekur me u detyrua me bo diçka në raport me Kosovën, dhe këtë dy momente në situata të mëdha i ka pasur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mandatin e tij, dhe këto mundësi s’i kanë pasur kryeministrat e mëparshëm, janë humbë këto mundësi”, ka përfunduar Haziri.